Apeli i Gjykatës së Posaçme i ka shtuar dënimin ish ministrit të mjedisit Lefter Koka. I akuzuar për inceneratorin e Elbasanit, Koka dënohet me 10 vite burg. Krahas dënimit të shkallës së parë që e shpalli fajtor për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ish ministrit deklarohet i fajshëm edhe për shpërdorim detyre. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi konvertohet në 6 vite e 8 muaj burg. Në shkallën e parë Koka ishte dënuar me 5 vite e 8 muaj burg.
Ndryshim të dënimit ka pasur edhe për Alqi Bllakon, i cili shpallet fajtor për shpërdorim detyre. Ish-deputeti dënohet me 4 vite heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar konvertohet në 2 vite e 8 muaj burg. Në shkallën e parë Bllako ishte shpallur i pafajshëm për shpërdorim detyre. Bllako nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 5 vitet e ardhshme.
Për Klodian Zoton, Mirel Mërtirin, Stela Gugallen, Pëllumb Abeshin, Jonida Zeqon, Bardhyl Çabirin dhe Serafin Papën nuk ka ndryshim të vendimit dhe qëndron në fuqi ai i Shkallës së Parë.
Ishte Prokuroria e Posaçme që pas vendimit të Shkallës së Parë të Gjykatës së Posaçme vendosi që të ankimonte vendimin.
Ish ministri Koka është dënuar edhe për dosjen e inceneratorit të Fierit me 10 vite burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar u dënua me 6 vite e 8 muaj heqje lirie. Ndaj Kokës është caktuar një masë e tretë sigurimi edhe për inceneratorin e Tiranës ku dyshohet për “shpërdorim detyre”. Sa i përket ish-deputetit Alqi Bllako edhe ai është marrë i pandehur për inceneratorin e Tiranës ku akuzohet për veprën penale të korrupsionit në dy raste.
Në vendimin e gjykatës thuhet se janë sekuestruar edhe 15 pasuri në pronësi të të pandehurve, që janë pasuri të paluajtshme, shoqëri tregtare, apo aksione në shoqëri tregtare.
Klan News