Rëndohet pozita në përballjen me drejtësinë e ish-deputetit të Partisë Socialiste Alqi Bllako.
Prokuroria e Posaçme e ka marrë zyrtarisht të pandehur për çështjen e Inceneratorit të Tiranës dhe e ka dorëzuar dosjen në gjykatë.
Bllako akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste, gjatë procedurave të koncensionit për inceneratorin e Tiranës.
Në njofitmin zyrtarë të SPAK thuhet se ka arritur të vërtetojë se Bllako ka përfituar rreth 120 mijë Euro, si pagesë për blerjen e një pajisje për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako.
Si dhe i ka kërkuar Klodian Zotos, dhënien e përfitimit të parregullt prej 7.5 milionë Lekësh për shtetasin Vladimir Bezhani, duke e punësuar fiktivisht tek shoqëria “Integrated Technology Services”.
Prokuroria e Posaçme thekson se ish-deputeti, kur ushtronte detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbjedisit e ka orientuar Bezhanin t’i jape informacione Klodian Zotos.
“Gjatë kohës që Vladimir Bezhani ishte këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ai ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton, sipas orientimit të të pandehurit, Alqi Bllako duke i siguruar të dhëna të marra nga autoriteti kontraktor, që i shërbyen shoqërisë propozuese të shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k. për të hartuar dokumentacionin e nevojshëm për propozimin e pakërkuar”.
Më herët për këtë dosje, SPAK ka çuar në gjykatë 12 ish-zyrtarë mes të cilëve edhe ish-ministrin Lefter Koka për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për personat e tjerë që sipas SPAK janë të përfshirë në paligjshmëri në dosjen e inceneratorit të Tiranës, një projekt i parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën e mbi 128 milionë Eurove.
Bllako është dënuar me vendim të formës së prerë me 2 vite e 8 muaj për çështjen e inceneratorit të Elbasanit.
Ndërsa pritet vendimi i Apelit të Posaçëm për dosjen e inceneratorit të Fierit.
Klan News