Për Prokurorinë e Posaçme, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, është korruptuar dy herë nga biznesmenët Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, gjatë procedurave të konçensiontit për inceneratorin e Tiranës.

Me anë të një njoftimi zyrtar, SPAK thotë se ka arritur të vërtetojë se Bllako ka përfituar 119,755 Euro, si pagesë për blerjen e një  pajisje për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako.

Si dhe i ka kërkuar Klodian Zotos, dhënien e përfitimit të parregullt prej 7.5 milionë Lekësh për shtetasin Vladimir Bezhani, duke e punësuar fiktivisht tek shoqëria “Integrated Technology Services”. Prokuroria thotë se Bllako ka orientuar Bezhanin ti jape informacione Klodian Zotos.

“Gjatë kohës që Vladimir Bezhani ishte këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka ai ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton, sipas orientimit të të pandehurit, Alqi Bllako duke i siguruar të dhëna të marra nga autoriteti kontraktor, që i shërbyen shoqërisë propozuese të shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k. për të hartuar dokumentacionin e nevojshëm për propozimin e pakërkuar”.   

Më herët për këtë dosje, SPAK ka çuar në gjykatë 12 ish-zyrtarë, mes të cilëve edhe ish-ministrin Lefter Koka për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë vijojnë hetimet personat e tjerë që sipas SPAK janë të përfshirë në paligjshmëri në dosjen e inceneratorit të Tiranës, një projekt i parashikuar nga shoqëria konçesionare në vlerën e mbi 128 milionë Eurove.

Tv Klan