Vetëm gjatë muajit Gusht të këtij viti rezultojnë të kenë hyrë në territorin shqiptar rreth 3 milionë e 106 mije shtetas shqiptarë dhe të huaj. Këto janë shifrat zyrtare të publikuara nga INSTAT ku evidenton se ky tregues ka pësuar një rritje me 9,1%, krahasuar me Gushtin e 2023.
Referuar shifrave të mësipërme, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri ishte 2.167.665 persona, me nje rritje prej 7,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Instituti i Statistikave evidenton se gjatë Gushtit të 2024, 96% e hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë janë nga rajoni i Evropës. Më konkretisht Evropa Jugore zë 77% të të huajve, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 9%.
Të ndara sipas qëllimit të hyrjes së të huajve në territorin shqiptar, në 99% të rasteve rezultojnë për qëllime personale ku dominojnë vizitat për pushime, ndjekur nga vizita tek të afërmit. INSTAT thekson se në Gusht të 2024, ky tregues ka shënuar një rritje me 10,4%, krahasuar me Gushtin e 2023. Rritje të ndjeshme në Gusht të këtij viti me 49.4% kanë patur edhe hyrjet e të huajve për qëllime biznesi dhe profesionale.
Viti 2024 ka shënuar edhe fluks të madh turistik ajror, pasi nga Janari deri më 19 Shtator në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” janë përpunuar mbi 8 milionë pasagjerë, nga 7.25 milionë që rezultuan në 12 muajt e vitit 2023.
Klan News