Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në kuadër të takimit të parë të përkthyesve të gjuhës shqipe në botë, që do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës ditën e nesërme, ka mbërritur në Tiranë përkthyesi i njohur gjerman Joachim Rohm. Ai është një nga përkthyesit kryesor të shkrimtarit Ismail Kadare në gjuhën gjermane, por gjithashtu edhe i mjaft shkrimtarëve të tjerë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova.

Gazetarja: Çfarë librash keni përkthyer nga Kadareja dhe sa e vështirë është për t’u përkthyer Kadareja në gjuhën gjermane?

Joachim Rohm:- “Nuk është e vështirë për t’u përkthyer për Kadarenë, se është një autor me gjuhë shumë të kthjellët, shumë të pastër. Ky besoj se është edhe zhvilluesi i gjuhës letrare shqipe vetë. Përsa u përket librave që kam përkthyer unë, nuk di a janë 10 ose 8-9, nuk e di, po unë kam përkthyer romanet kryesore të Ismail Kadaresë dhe në gjuhën gjermane, po duhet thënë që ka edhe përkthyes të tjerë, nuk jam i vetëm unë, ka edhe të tjerë, por kohët e fundit mund të them që shumica e aktiviteteve letrare midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, kanë kaluar nëpër duart e mia, kjo është e vërtetë”.

Gazetarja: Si është pritur Kadareja në Gjermani, si cilësohet ai si shkrimtar? A kërkohet nga lexuesit, a ka ngjallur ndopak interes?

Joachim Rohm:- “Sigurisht që ka shumë interes për Ismail Kadarenë si autor, nuk dua të them që është autor bestseller, sepse kjo është diçka tjetër, librat që shiten me miliona ndoshta jo, por është një autor shumë i njohur në Gjermani, Zvicër e Austri, sepse ne kemi një zonë të përbashkët letrare. Unë psh. vitin e kaluar në Nëntor me Ismailin kemi bërë një turne leximesh nëpër 10 qytete në Gjermani me shumë sukses. Sallat ishin të mbushura dhe psh, më 16 Nëntor, do të jemi në Zyrih, me ftesë të qendrës së Zvicrës, dmth. Ismaili është një nga autorët e huaj më të njohur në Gjermani”./tvklan.al