Ismail Kadare: “Madhëri, lartësia juaj! Është një kënaqësi e veçantë të jem i pranishëm në këtë sallë dhe të marr fjalën këtu. Kënaqësia është e dyfishtë ngaqë gjithë kjo ndodh për shkak të letërsisë, universit që unë i përkas. Ka pasur dhe vazhdon të ketë dy mendime krejtësisht të kundërta për letërsinë, njëri i vjetër pakëz naiv që besonte se letërsia ashtu si të gjitha artet mund të bëjë mrekullia për botën. Mendimi tjetër modern, rrjedhimisht aspak naiv se letërsia dhe arti nuk i shërbejnë askujt veç vetvetes. Në këto dy mendime, e vërteta dhe jo e vërteta janë të përziera. Megjithatë si njeri i artit unë kam prirjen të besoj te mrekullia. Ka një model për këto paradigma. Miti i Orfeut, është quajtur me të drejtë miti më misterioz i njerëzimit, thelbi i tij ka të bëjë me mundësitë e artit, Orfeu arriti që me artin e tij të bëjë gjëra të pabesueshme dhe ndonëse nuk arriti dot të kapërcejë murin e vdekjes më pranë se kushdo ju afrua të pamundurës. E përmenda mitin e famshëm për të ardhur te një mrekulli shumë herë më e rëndomtë në dukje, por e së njëjtës natyrë. 20 vite më parë në vendin tim komunist në qoftë se dikush do t’i thoshte dikujt se ka gjasë se një ditë një shkrimtar shqiptar do të marri një çmim në Spanjë, për më tepër të dorëzuar nga Princi trashëgimtar. Ky dikush do të shpallej aty për aty i çmendur, do të prangosej e do të çohej në çmendinë dhe kjo do të ishte e keqja më e vogël sipas një version i të dytë, ky dikush do të përfundonte në hetuesi dhe pastaj në torturë si komplotist i rrezikshëm. Ndoshta mund t’ju duket pak i dramatizuar ky parashikim, por unë do të ju a shpjegoj. Shqipëria vendi im dhe Spanja e juaj, përveç një miqësie të shkurtër në shekullin XV nuk kanë pasur kurrë asnjë lidhje. Ndërprerja e plotë u bë në shekullin e kaluar, i shquar për prerje marrëdhëniesh, ky ka qenë si të thuash specialiteti i tij preu çdo lidhje me Spanjën. Por si çdo gjë në botë, ashtu edhe mrekullia e letërsisë e ka një traditë. Në kohën e ngrirë për të cilën fola më lart ahere kur midis vendit tim dhe Spanjës nuk shkonte as vinte askush një kalorës i vetmuar, duke shpërfillur ligjet e botës e kapërcente sa herë të donte kufirin e pakapërcyeshëm. Besoj se e merrni me mend për kë e kam fjalën, për Don Kishotin. Ishte i vetmi që regjimi komunist, ai që gjënë më të lehtë në botë kishte ndalimin, nuk e ndaloi dot. Don Kishoti qoftë si libër, qoftë si personazh i jetës ishte aq i njohur në Shqipëri sikur ta kishte pjellë ajo vetë. Dikush mund të gjente një shpjegim për këtë paradoks, Don Kishoti ishte i marrë dhe jo më pak i marrë ishte shteti shqiptar ndaj ishte e logjikshme që dy të çmendurit të merreshin vesh. Duke kërkuar pjesë për krahasimin e lajthitjes së fisme të Kishotit me lajthitjen e keqe të vendit tim, më lejoni t’ju them se nuk ka qenë kështu dhe se krahasimi lidhet me tjetër gjë. E bëra këtë hyrje të gjatë për të ardhur te tema kryesore e fjalimit tim ë shkurtër “Pavarësia e letërsisë”. Don Kishoti e kapërcente kufirin shqiptar sepse ishte veç të tjerash i pavarur. Kur një shkrimtar shqiptar për veprën e shkruar, kryesisht në një truall dhe në një kohë komuniste, vjen të marrë një çmim në mbretëritë perëndimore kjo ndodh sepse letërsia për nga natyra është e pavarur…/tvklan.al