Rrallëherë i pranishëm në promovime librash të tij në Shqipëri, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, pas vlerësimit në Spanjë si “Princ i Asturias për Letërsinë” promovon për lexuesin shqiptar veprën e plotë të tij.
Kadare ka zgjedhur këtë herë Universitetin Europian të Tiranës për të publikuar këtë përmbledhje të krijimtarisë së tij. “E penguara” është romani më i fundit, i përfshirë në vëllimin e 17-të dhe si roman më vete, një rekuiem për të gjitha vajzat shqiptare që u lindën, e vajzëruan në internim, një libër për brengat e mëdha që mbolli diktatura komuniste.
Ismail Kadare: “Është një libër siç e thotë titulli, flet për një pengesë flet zakonisht në traditën e letërsisë botërore pengesën e krijon fati. Këtu është përshkruar një pengesë e një tipi të ri më të vonshëm se fati, pengesa e shtetit. I kushtohet të gjitha vajzave shqiptare që kanë pësuar internimin. Veçanërisht më kanë prekur shumë herë në jetën time brengat e vajzave shqiptare. Nga udhëtimet e mia në Shqipëri kam vënë re se vajzat shqiptare në mënyrë të veçantë kanë thithur një pjesë të brengës shqiptare e kanë përballuar në një tragjedi të tillë siç është internimi, ato kanë patur për pjesë një prej fateve më të hidhur të kombit shqiptar.”
I botuar në më se 35 gjuhë në mbarë botën, Kadare, me veprën e tij ka skalitur përballë lexuesve tërë botëkuptimin shqiptar, frymën e një kombi, historinë dhe vlerat e kulturës shqiptare falë tij të njohura kudo në botë.
Ismail Kadare: “Lexuesi i vendit tënd zë gjithmonë një vend të veçantë natyrisht. Pavarësisht se mund të kesh lexues nga dhjetëra vende ai është lexuesi që ka lexuar i pari. Kjo s’do të thotë që patjetër është ai më i rëndësishmi, por ai është i veçantë gjithmonë.
Kolana me 20 vëllime e botuar nga Shtëpia Botuese Onufri që boton prej 15 vjetësh librat në shqip të shkrimtarit, ngërthen edhe vepra të reja që shohin dritën e botimit për herë të parë në këtë kolane të plotë.
Ismail Kadare: “Kjo kolanë ka disa vepra të pabotuara, ka disa novela, ka një roman të tërë veç këtij romani ka edhe një tjetër. Ka edhe një vepër pak … një lloj si vepër eksperimentale midis një projekti si për film ose për një pamje tjetër të artit, për një art tjetër kështu e kam quajtur. Më mbyllet kolana me këtë eksperiment letrar.”/tvklan.al