Romancieri i madh shqiptar Ismail Kadare është renditur si një nga 10 favoritet për marrjen e çmimit Nobel për Letërsinë.

Këtë herë është qendra spanjolle e basteve, Ladbrokes, që zgjon debatin për çmimet Nobel, duke renditur deri me tash ne krye të listës si emrin më të kuotuar shkrimtarin izraelit, Amos Oz.

Kadare ndodhet në dhjetëshen e parë të listës së gjatë, me pikë të njëjta me shkrimtarin çek Milan Kundera.

Prej vitesh kandidat për çmimin Nobel, shkrimtari i madh shqiptar fitoi në 2005-ën çmimin ndërkombëtar “Man Booker Prize”, ndërsa Spanja e nderoi pak muaj më parë me titullin “Princ i Asturias për Letërsinë”.

 Ismail Kadare i cilësuar nga kritika si një nga shkrimtaret më të mëdhenj të epokës, e shtroi rrugën e famës së tij në qarqet ndërkombëtare letrare qysh në vitet e diktaturës, me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Në krye të herës poet, më pas romancier e eseist, Kadare është personaliteti më i njohur i kulturës shqiptare sot në botë.

Fillimisht i botuar në Francë, romanet e tij janë përkthyer në plot 35 gjuhë. Si monumente në vetvete, romanet e Kadaresë për mesazhet universale, gjuhën e përkryer, figuracionin e rrallë gëzojnë popullaritet në qarqet letrare të kohës, duke e lakuar atë si një nga emrat më të rëndësishëm të letërsisë së sotme botërore.

Këto vlera të shkrimtarit shqiptar, ishin edhe lajtmotivi i kërkesës që presidenti shqiptar, Bamir Topi, i drejtoi Akademisë Nobel, për çmimin letrar të këtij viti. /tvklan.al