Tani është çdo gjë publike dhe gjetjet e hetimit janë skandaloze. Komiteti i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së zbuloi se ish-ligjvënësi i Floridës, Matt Gaetz, ka paguar dhjetëra mijëra dollarë për seks dhe drogë, përfshirë këtu një vajzë 17-vjeçare, raportuan mediat amerikane, duke cituar një projekt raport hetimor.
Gaetz, i cili ka mohuar ndonjë keqbërje, dha dorëheqjen nga Dhoma e Përfaqësuesve muajin e kaluar pasi u propozua nga presidenti i zgjedhur Donald Trump si prokuror i përgjithshëm. Ai u tërhoq nga procesi i përzgjedhjes pasi u kuptua se Senati do ta refuzojë emrin e tij.
Në një përpjekje për të parandaluar publikimin e raportit, Gaetz ngriti një padi në gjykatën federale të Uashingtonit, kundër Komitetit të Etikës duke argumentuar se ai nuk ka më juridiksion për shkak të dorëheqjes nga Kongresi.
Avokatët e tij kërkuan nga gjykata urdhër urgjent për të bllokuar përkohësisht publikimin e raportit, për të cilin argumentuan se përmban “informacione të pavërteta dhe shpifje”.
Raporti zbuloi se Gaetz pagoi mbi 90,000 dollarë për 12 gra të ndryshme, pagesa që Komiteti i Etikës i lidh me aktivitetin seksual dhe përdorimin e drogës, sipas televizionit CBS News. Ndërsa CNN raportoi detaje të ngjashme të raportit. Të dyja mediat thanë se veprimet e tij shkelnin ligjet e shtetit të Floridës.
Raporti zbuloi se Gaetz ka shkelur rregullat e Kongresit dhe standardet e tjera të sjelljes që ndalojnë prostitucionin dhe përdorimin e drogës. Komiteti e akuzoi zotin Gaetz për pranimin e dhuratave dhe udhëtimeve luksoze mbi kufijtë e lejuar.
Klan News