Dalibor Jaukoviç, është ai që sulmoi me granatë ambasadën amerikane në Podgoridë dhe më pas u vetëvra. Ai ka qenë pjesë e forcave të armatosura jugosllave dhe në vitin 1999 është dekoruar me medaljen e lartë Urdhri i Ekselencës, me nënshkrimin e Sllobodan Millosheviçit.
Medaljen dhe motivacionin që e shoqëronte e kishte postuar vetë në rrjetin social Facebook, vitin e kaluar. Jaukoviç banonte në Podgoricë por kishte lindur në Kraljevë të Serbisë.
Nisur nga këto të dhëna policia malazeze dyshon se sulmi ka pasur motive politike. Jaukoviç kundërshtonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe kjo është pista kryesore e hetimit për këtë ngjarje. Mediat serbe shkruajnë se ai po kalonte një moment të vështirë dhe kishte humbur vendin e punës.
Ministri i punëve të brendshme i Malit të Zi, ka thënë se qeveria e Podgoricës ndjen keqardhje për këtë akt.
Mevludin Nuhoxhiç, Ministër i Punëve të Brendshme i Malit të Zi
“Ne e dënojm ashpër këtë akt si qeveri dhe ndjejmë keqardhje për këtë sulm. Të gjitha institucionet tona janë të angazhuara për zbardhjen e këtij rasti dhe ofrimin e sigurisë për gjithë stafin e ambasadës amerikane
“.
Sulmi ndodhi këtë të enjte gjysmë ore pas mesnate. Jaukoviç hodhi fillimisht një granatë në oborrin e ambasadës amerikane në Podgoricë. Menjëherë më pas u vetëvra. Nga sulmi nuk pati të lënduar apo dëme materiale. Ambasada amerikane pezulloi punën për të enjten, ndërsa u bëri thirrje shtetasve të saj të mos i afrohen ndërtesës ku u krye sulmi.
Tv Klan