Pas sulmit gjakatar në Mançester që shkaktoi 22 viktima dhe mbi 60 të plagosur, Shteti Islamik kërcënon sërish Europën përmes një videoje propagandistike.
Të gjithë ata që nuk arrijnë dot në Siri, të godasin perëndimorët e pabesë me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, thuhet në mesazhin kërcënues të ISIS.
Në videon e organizatës terroriste i bëhet homazh edhe kamikazit 22-vjeçar të Mançesterit, Salman Abedi. Shteti Islamik nxit mbështetësit e tij të mos ndalen para goditjes së personave të pafajashëm. Britanikja The Telegraph raporton se vetëm vitin e kaluar masakrat e terroristëve gjatë muajit të Ramazanit shkaktuan mbi 400 viktima dhe 700 të plagosur.
Edhe më herët ISIS ka publikuar video ku nxit militantët e tij të kryejnë sulme individuale në vendin ku jetojnë. Ekspertët e terrorizmit ngrenë alarmin se të ashtuquajturit “ujq të vetmuar” kanë shtuar ndjeshëm veprimet e tyre, siç ishin rastet e masakrës së Nisës, Berlinit, apo edhe ai i pak ditëve më parë në Mançester.
Tv Klan