Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të hënën se Izraeli ka pranuar propozimin për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve në Gaza, dhe i bëri thirrje Hamasit të bëjë të njëjtën gjë. Blinken foli gjatë një konference me gazetarët pas një takimi prej mbi 2 orësh me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu më herët gjatë ditës, ministrin e mbrojtjes dhe presidentin izraelit.
Më pas ai do të udhëtojë drejt Egjiptit. Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari kanë shpenzuar muaj duke u përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje.
Blinkeni nuk tha nëse i ashtuquajturi propozim përbashkues adreson kërkesat e Izraelit për kontroll mbi dy korridoret strategjike brenda Gazës, për të cilat Hamasi ka thënë se nuk bie dakord, apo çështje të tjera që kanë dështuar prej kohësh negociatat.
“Në një takim shumë konstruktiv me kryeministrin Netanyahu sot, ai më konfirmoi se Izraeli e mbështet propozimin përbashkues. Hapi tjetër i rëndësishëm është që Hamasi të thotë ‘po’,” u tha Blinken gazetarëve.
Blinkeni tha më herët se ky është shansi i fundit për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza.
Klan News