Lufta e Izraelit kundër Hezbollahut është shtrirë përtej objektivave ushtarake. Tel Avivi ka shënjestruar në sulmet e fundit degë të bankës Al-Qard Al-Hassan, një shoqatë financiare e lidhur me Hezbollahun.
Kjo bankë u sanksionua nga Departamenti Amerikan i Thesarit në vitin 2007, për shkak të lidhjeve të dyshuara me Hezbollahun. SHBA thotë se shërben si një rrjet financiar kritik për grupin. Ajo operon jashtë sistemeve tradicionale perëndimore, duke i lejuar libanezët të shmangin kufizimet e vendosura nga bankat lokale.
Sipas agjencisë shtetërore libaneze të lajmeve, ka pasur 11 sulme në Dahieh në Bejrut, tre në jug të vendit dhe dy në Bekaa, zona ku Hezbollahu është i pranishëm. Për sulmet reagoi edhe ministri i Jashtëm izraelit. Në një prononcim në rrjetet sociale ministri Israel Katz shkruan “Hezbollahu ka paguar dhe do të vazhdojë të paguajë një çmim të rëndë për sulmet e tij në veri të Izraelit dhe raketat e tij.”
Teksa luftimet vijojnë, nuk ndalen edhe përpjekjet diplomatike. I dërguari amerikan Amos Hochstein do të zhvillojë bisedime me zyrtarët libanezë në Bejrut mbi kushtet për një armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Izraeli thuhet se i ka dhënë Shteteve të Bashkuara një dokument me kushtet e saj për një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Liban. Izraeli dëshiron që forcat e tij ajrore të kenë lirinë e operimit në hapësirën ajrore libaneze, por besohet se ky kusht nuk do të pranohet nga Libani dhe komuniteti ndërkombëtar.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përpjekur për një vit për të siguruar një armëpushim në Gaza, por përpjekjet kanë qenë të pasuksesshme. Kjo është arsyeja pse zyrtarët libanezë dhe shumë diplomatë janë se do të mund të arrihet një armëpushim në Liban.
Klan News