Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, ka sinjalizuar përgatitjet për aneksimin e vendbanimeve në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Në një takim me anëtarët e partisë të ekstremit të djathtë Smotrich tha se presidenti Trump, i cili tregoi guxim dhe vendosmëri në vendimet e tij gjatë mandatit të tij të parë, do të mbështesë shtetin e Izraelit në këtë lëvizje.
Nga ana tjetër Izraeli nuk ka përmbushur një sërë kërkesash të parashtruara nga SHBA që synojnë të përmirësojnë krizën humanitare në Gaza.
Shtetet e Bashkuara i thanë aleatit të tyre Izraelit në një letër më 13 Tetor se duhet të ndërmarren hapa për të përmirësuar situatën e ndihmës brenda 30 ditëve. Nëse jo, ajo mund të përballet me kufizime të mundshme për ndihmën ushtarake të SHBA.
Në një deklaratë Izraeli bëri të ditur se ka përmbushur shumicën e kërkesave të SHBA ndërsa disa të tjera mbeten në diskutim dhe ato prekin çështjet e sigurisë.
NdërkohË forcat izraelite vijojnë të bombardojnë Gazën, ku vranë të paktën 17 palestinezë duke përfshirë 11 persona të zhvendosur në të ashtuquajturën “zona e sigurt” e al-Mawasi. Ata gjithashtu vazhduan me sulmet në të gjithë Libanin, duke vrarë tre vetë në Bekaa lindore.
Klan News