Tirana humbi me rezultatin 3 – 1 miqësoren me Prishtinën e zhvilluar të dielën në stadimin “Selman Stërmasi”. Një lojë e bukur e skuadrës nga Kosova gjatë pjesës së parë që realizoi 3 gola në më pak se 30 minuta. Ekipi i drejtuar nga ish-trajneri i bardhebluve, Mirel Josa ushtroi vazhdimisht presion në portën e skuadrës së Ze Maria. I riu Meriton Korenica spikati me dy gola të realizuar.
Lojtarët e Tiranës gabuan në mbrojtje gjatë pjesës së parë, por u përpoqën të reagonin në minutat e fundit para pushimit, por goditën vetëm shtyllën. Ndryshimet e bëra në fillim të pjesës së dytë sollën më tepër inciativë në sulm dhe Albi Doka arriti të realizonte golin e vetëm për Tiranën. Miqësorja i shërbeu shumë trajnerëve për të parë se ku duhet ndërhyrë në ekip.
Ze Maria, trajner i Tiranës:
Ata nisën shumë shpejt dhe gjetëm vështirësi dhe paguam shumë shtrenjtë gabimet që bëmë. Kjo mund të ndodhë tani, por nuk do duhet të ndodhë pas 2 javësh. Duhet të punojmë që korrigjojmë gabimet.
Mirel Josa, trajner i Prishtinës:
Duke u bazuar se çfarë bëri skuadra sot, duhet të shohim lojtarët që duhet të afrojmë.
Trajneri i Tiranës, Ze Maria tha që grupi të plotësohet duhet një portier dhe një sulmues. Momentalisht Ilion Lika nuk mund të luajë, pasi ka probleme me shpinën.
Tv Klan