Brenda kësaj jave kabineti Nano do të vendosë rritjen e çmimeve të pagesës së ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike nga konsumatorët. Për këto mallra do të zbatohen tarifat e tregut sepse ato nuk janë dhuratë e perëndisë, ka deklaruar kryeministri Fatos Nano.

Fatos Nano: Prioritet i rëndësishëm i viti 2003 mbetet ristrukturimi i sektorit të energjisë dhe i furnizimit me ujë të pijshëm, duke nisur me një vendimmarrje të rëndësishme të qeverisë në mbledhjen e kësaj jave që përmban një paketë reformash të tregut energjetik, duke synuar sidomos harmonizimin e tarifave për këto dy mallra dhe shërbime të rëndësishme në standardet, pra me përafrimin progresiv ndaj standardeve të tregut rajonal dhe evropian. Sepse mallrat e shërbimeve të tilla, natyrshëm ka kohë që nuk trajtohen më nga mentaliteti i integrimit të Shqipërisë, në tregjet globale dhe në Bashkimin Evropian si dhuratë e perëndisë, prandaj hapat synojnë harmonizimin e çmimeve të këtyre mallrave më kërkesën dhe ofertën reale të tregut.

Deklarata e Nanos për rritjen e çmimeve të ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike është bërë pas nënshkrimit të memorandumit të politikave ekonomike me përfaqësuesin e FMN-së në Tiranë Olters.

Nano paralajmëroi privatizimin e shpejtë të Bankës së Kursimeve të INSIG-ut, Albtelecom-it si dhe shoqëritë shtetërore të naftës ARMO. Sipas Nanos gjatë vitit 2003 parashikohet rritje ekonomike në 6%, ulje inflacioni nga 2-4%. Shefi i qeverisë shqiptare ka reklamuar si arritjen më të madhe financiare të 12 viteve të fundit shifrën prej 100 miliard Lekësh, të ardhura fiskale gjatë vitit 2003./tvklan.al