Parku arkeologjik i Shkodrës, është nga më të preferuarit e turistëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë 7 muajve të parë të vitit. Turistët nga vende te ndryshme, gjatë turit në Kalanë e Shkodrës, shprehen se janë të impresionuar nga historia, por edhe vlerat arkeologjike që gjejnë në këtë pikë turistike.
“Jam nga Italia, Trieste. Është hera e parë në Shqipëri. Jam vërtet shumë e impresionuar. Është vërtet kala e bukur, në një pozicion të mirë. E shijova muzeun, me gjetjet që ka brenda.”
“Jemi nga Italia, Roma. Vendosëm të vinim këtu se është një vend i mirë për të shkuar në mal dhe në det. Mund të them se gjëja më e mahnitshme që pamë dje ishte perëndimi i diellit në liqen. Vërtet vend i mrekullueshëm. Nuk mund ta imagjinoni çfarë thesari keni këtu në këtë vend! Edhe njerëzit. Ju jeni të dashur.”
“Nga Hong Kongu. Hera e parë këtu. Sapo erdhëm. Morëm disa të dhëna të detajuara të kalasë. Mësuam për legjendën e saj, është madhështore, shumë e bukur. Këtej është liqeni dhe lumi ndërsa pas nesh më thanë që kemi alpet shqiptare.”
Kalaja e Rozafës dhe historia e saj është një atraksion jo vetëm për qytetarët shkodranë apo shqiptarë, por edhe për turistët që vijnë të vizitojnë Shkodrën. Natyrisht që vizitorët kanë qenë të shumtë çdo herë e aq më tepër në stinën e verës ku turizmi njeh edhe rritje maksimale të vizitorëve.
Klan News