Një zonjë është drejtuar në “Stop” pas presioneve e kërcënimeve për jetën që ka marrë në rrjetin social Facebook që nga Marsi 2022. Ajo thotë se nuk ka asnjë konflikt me askënd. Emri i profilit, nga ku vijnë kërcënimet është “Alia Ari” që për zonjën nuk ka asnjë kuptim. Ajo kërkon mbrojtje, ndaj ka bërë dhe denoncim në Policinë e Shtetit dhe Zyrën e Krimit Kibernetik. Sot pas gati dy vjetësh, zonja thotë, se kërcënimet vazhdojnë dhe personi nuk është identifikuar.

Denoncuesja: Në vitin 2022, në chatin e Facebookut, më vijnë disa thirrje dhe disa kërcënime dhe nuk e dija se kush ishte dhe i them se “ku je, kush ka vdekur”. Ja nisi me ofendime dhe kërcënime.

Pyetje: Mund të na thoni se ky person që ju solli këto lloj kërcënimesh dhe sharjesh, çfarë emri kishte në rrjetin Facebook?

Denoncuesja: Alia Ari.

Pyetje: Ju kujton diçka ky emër, a keni lidhje?

Denoncuesja: Jo, jo. Nuk i kam borxh askujt, nuk jam në gjak me askënd dhe nuk kam asnjëfarë konflikti me askënd në botë.

Pyetje: Ndërkohë statusi juaj cili është?

Denoncuesja: Kam 2 djem, jam e ndarë.

Pyetje: A keni patur këto lloj historish më para? Këto lloj situatash?

Denoncuesja: Jo, jo.

Pyetje: Deri kur ka vazhduar kjo situatë me kërcënimin në rrjetet sociale?

Denoncuesja: Deri para 1 muaji e gjysëm.

Pyetje: Tanimë ka stopuar?

Denoncuesja: Jo, më thotë “të ndjek ku e blen bukën, më kanë paguar për të hequr kokën”.

Pyetje: Këtë personazh e lidh me ndonjë episod të jetës tënde?

Denoncuesja: Jo, nuk kam konflikte me askënd. Jo vetëm unë, por askush nga fisi im.

Pyetje: Cila është kërkesa juaj?

Denoncuesja: Unë i drejtohem përmes stafit tuaj, shtetit shqiptar që të marrin masa dhe të japin mbrojtjen, sigurimin e jetës time, ose të më thonë “nuk je shqiptare dhe ik e shko në shtete të tjera”.

/tvklan.al