Stafi i Joe Biden kishte insistuar javën e fundit që ai të qëndronte në garën për postin presidencial, pavarësisht thirrjeve nga krahu i demokratëve. Madje, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kishin bërë gati dhe planin e fushatës…

Por gjithçka shkoi ndryshe për Biden. Siç shkruajnë mediat e huaja, ai po kurohet nga Covid në shtëpinë e tij të plazhit në Delaware, nga ku mori dhe vendimin më të vështirë të karrierës së tij politike. Pas mbledhjes me zyrtarët e tij më të afërt si Steve Richetti, Mike Donilon, Annie Tomasini dhe Anthony Bernal, Biden njoftoi tërheqjen e tij nga gara presidenciale, duke ia pasuar përgjegjësinë zëvendëses së tij, Kamala Harris.

Të Shtunën në mbrëmje, ai foli me video kamerë me stafin e fushatës së tij. Pak minuta më vonë, prononcoi për publikun e gjerë vendimin që kishte marrë.

Sipas raportimeve, Biden kishte biseduar disa herë gjatë ditës me Harris. Kjo e fundit shihet nga demokratët si “suportuesja më e madhe e Biden dhe gruaja që kishte më shumë besim te aftësitë e tij.” Këto cilësi mbase ishin dhe “bileta” e saj për kandidaturën e rëndësishme. Deri më tani ajo është shprehur mëse e bindur për përballjen me Donald Trump, duke besuar fuqishëm te fitorja./tvklan.al