Një shqiptar u arrestua në Londër javën e kaluar në një operacion mbi trafikimin e shtetasve rumunë në Britani të Madhe, për shfrytëzim të fuqisë punëtore.
Policia e zonës arrestoi shqiptarin, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, gjatë një kontrolli në një lavazh në rrugën Kent të Londrës, të premten.
Dymbëdhjetë punëtorë u zbuluan në një pikë karburanti, të cilët jetonin nëpër kontenierë transporti, në kioska ose me qira në banesat pranë biznesit. Të gjithë ishin qiraxhinjë të personit të arrestuar dhe mendohet të jenë viktima të shfrytëzimit.
Sipas
Recruiter
shtëpia e shqiptarit në Peckham u kontrollua gjithashtu nga hetuesit dhe në të njëjtën kohë edhe lavazhi, ku u gjetën pesë viktima të tjera të trafikimit, përfshirë një vajzë katër vjeçare.
Të gjithë të rriturit dyshohet të jenë viktima të skllavërisë moderne. Të dhënat e tyre janë regjistruar dhe ata janë vënë nën kujdes dhe ri-strehuar nga punonjësit e Kryqit të Kuq. I dyshuari tani është liruar dhe është nën hetim, ndërsa biznesi i tij është mbyllur nga autoritetet lokale. Hetimet po vazhdojnë.
Komisioneri kundër skllavërisë, Kevin Hyland, i cili ishte i pranishëm gjatë arrestimit, vlerësoi policët e përfshirë, duke deklaruar se operacioni ishte një shembull i bashkëpunimit shembullor që përfshinte komunitetin lokal, autoritetin lokal dhe ekipet e specializuara, të mbështetura me profesionalizëm nga Kryqi i Kuq për të siguruar mbështetje dhe mbrojtje.
“Vetëm përmes kësaj pune të përbashkët, ne mund ta luftojmë skllavërinë moderne dhe t’i mbështesim viktimat e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, siç edhe ata e meritojnë”
, shtoi ai./tvklan.al