Për klubin francez Lens, transferimi i Abdukodir Khusanov tek Manchester City u bë marrëveshja e shekullit. Qendërmbrojtësi ishte blerë për njëqind mijë Euro më 24 Korrik 2023. Pas 18 muajsh qëndrimi në klubin e Ligue 1, ku luajti 13 ndeshje, nga të cilat 11 si titullar, ai u transferua te Manchester City për 40 milionë.

Është përzgjedhur nga vetë Pep Guardiola. Duke u përpjekur të bëjë reformimin e skuadrës, trajneri spanjoll e konsideron atë mbrojtësin e së ardhmes.

Khusanov është vetëm 20 vjeç. Ai ka lindur në Tashkent të Uzbekistanit më 29 Shkurt 2004. 1.86 i gjatë, këmba e djathtë natyrale. Karrierën e nisi me 18-vjeçarët e klubit Bunyodkor në Tashkent.

Ai është një lojtar që luan në mesin e repartit të mbrojtjes. Mund të luajë në rreshtim me 3 ose me 4. Tashmë ai do të vijojë karrierën në Premier League në stadiumin Etihad. Me Manchester City nënshkroi një kontratë deri në vitin 2029. Në fanelë do të mbajë numrin 45.

Pep Guardiola e ka vlerësuar lojtarin që në raport me moshën që është i shpejtë për t’i paraprirë veprimeve të kundërshtarit dhe për të rinisur aksionin e skuadrës së tij. I fortë në kokë, elegant në fazën e ndërtimit të ofensivës. Edhe vrapimi në fushë është një tjetër armë të cilën ka mundur ta aplikojë me një sprint prej 37 km/h.

Për shkak të këtyre aftësive, tifozët e Lens e quajtën atë me nofkën “MONSTRA”.

Tv Klan