Çdo forcë politike do duhet të çojë në KQZ dy lista me kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 11 Majit. Në listën e parë për çdo qark, e cila do të jetë e fiksuar nga kryetarët, kandidatët nuk do t’i nënshtrohen votimit preferencial nga zgjedhësit, por votohet për logon e forcës politike. Ndërsa lista e dytë do të jetë shumëemërore dhe kandidatët fitues do të jenë ata që do marrin më shumë vota nominale. KQZ ka miratuar numrin e kandidatëve për deputetët në listat shumëemërore të paraqitura nga subjektet zgjedhore të ndara sa prej tyre do jenë në listat e mbyllura dhe sa në ato të hapura.
Forcat politike në garë kanë detyrimin të kenë në listat e tyre për 12 qarqet 46 kandidatë për listat e fiksuara dhe 140 për listat e hapura që do t’ju duhet të “luftojnë” jo vetëm me kundërshtarët politikë, por dhe me kandidatët e partisë së tyre për të siguruar mbështetje më të madhe të elektoratit për të arritur të bëhen deputetë.
Mjafton vetëm një votë më shumë për t’u radhitur në krye të listës fituese të partisë apo koalicionit ku bën pjesë. Ndërkohë që kriteri i vendosur në Kodin Zgjedhor është që 1 në 3 kandidatët fitues duhet të jetë grua ose vajzë pavarësisht nëse ka marrë më pak vota se kandidatët e gjinisë mashkullore.
Në qarkun e Beratit që ka 7 mandate për çdo subjekt fitues, 2 deputetët e parë do të zgjidhen nga lista e mbyllur dhe 5 nga lista e hapur.
5 mandatet e Dibrës do të ndahen: 2 fituesit e parë do të jenë të listës së mbyllur, dhe 3 nga e hapura.
Durrësi ka 14 mandate 5 deputetët e parë dalin nga lista e mbyllur dhe 9 nga lista e hapur.
5 deputetët e parë të Elbasanit do të jenë ata që mandatin jua ka paracaktuar kryetari dhe 9 kandidatët e tjerë do duhet të bëjnë betejë për çdo votë për t’u ulur në parlament.
Në Fier 5 nga 16 deputetët që ka qarku do të jenë në listën e mbyllur.
Gjirokastra ka 4 mandate, por vetëm 1 do të dalë nga listat e mbyllura.
Korça në këto zgjedhje ka 10 mandate dhe 3 nga deputetët e ardhshëm të çdo force fituese do ta dinë përpara 11 Majit, që do të ulen në parlament.
Në Kukës është 1 mandat nga 3 në total në Shkodër 4 nga 11, në Vlorë nga 12 mandate 4 deputetë fitues do të përzgjidhen nga listat e mbyllura dhe në Tiranë që në këto zgjedhje do të ketë një mandat më shumë 12 fituesit e 37 mandateve do të dalin deputetë pasi janë vendosur nga kryetarët e partive në listat e sigurta.
Tv Klan