Klan News ka siguruar vendimin e Gjykatës së Posaçme për çështjen e ish-Presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi. Në vendimin e togave të zeza i ndarë në 6 episode të ndryshme janë të arsyetuar të gjitha shkeljet e dyshuar të ligjit nga Meta dhe Kryemadhi. 

Për kallëzimin e bërë për çëshjten CEZ-DIA në dosja janë të zbardhura edhe deklarimet e personave që kanë dijeni në lidhje me çështjen. Por ajo që tërheq vëmendjen është një sms që pretendohet se i është dërguar Kastriot Ismalajt administratorit të DIA-s nga Ilir Meta në atë kohë ministër i Ekonomisë.

“Në datën 22 Qershor 2009 ora 17:27:21, nga numri i telefonit i personit nën hetim Ilir Metaj, është dërguar një sms drejt një numri tjetër që në atë kohë ishte në përdorim nga Kastriot Ismailaj me përmbajtje “Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”.”

SPAK pretendon se Ilir Meta ka kërkuar dhe ka marrë perfitim të parregullt nga shtetasi Kastriot Ismailaj në shkëmbim të ndihmës së dhënë për përfitimin e kontratës që kompania e Ismailaj “DIA” të lidhte shoqërinë “CEZ”. Sa i takon episodit për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës SPAK thekson se LSI nuk ka deklaruar të gjitha shpenzimet për shërbimet e konsulencës duke ngritur dyshime se janë paguar nga palë të treta.

“Rezulton se Lëvizja Socialiste për Integrim në periudhën Janar 2016 – Dhjetor 2017 i ka paguar kompanise GSIS LLC, për qëllime konsulence dhe lobimi 463.546,26 USD dhe ka deklaruar shpenzime për konsulencë pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve si dhe ka paraqitur pranë organit procedues vetëm tre fatura të paguara kompanisë GSIS LLC, shumën 11.720.552 lekë. Diferenca prej 369.785 USD është paguar nga një entitet i pa deklaruar nga partia LSI.”

Në bazë të hetimeve të kryer nga SPAK dyshohet se egziston një lidhje interesash ekonomike dhe transaksione bankare midis kompanisë të drejtuar nga Ema Çoku, kompanisë të drejtuar nga Adrian Shatkun, Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Meta e Monika Kryemadhi.

SPAK thekson se janë bërë pagesa të dyshimta në shuma të mëdha parash, si për çëshjte e lobimit ashtu edhe për aktivitet të LSI-së. 

Klan News