Edmond Haxhinasto: “Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson qëndrimin e ambasadorëve të SHBA-ve dhe të BE-së në lidhje me veprimtarinë e Kolegjit Zgjedhor si një pjesë e rëndësishme themelore e procesit zgjedhor. LSI tashmë ka deklaruar publikisht se të gjithë institucionet pjesëmarrëse  në procesin zgjedhor duhet të kryejnë detyrat e tyre, kushtetuese e ligjore në mënyrë të pavarur, të pandikuar nga presionet politike nga cilido kah që të vijnë ato. Ne inkurajojmë një proces ligjor e të shpejtë për vlerësimin e ankesave dhe më pas për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Sigurisht ky lloj inkurajimi që po japim sot ashtu si dhe qëndrimi i djeshëm i ambasadorëve, nuk do të ishin të nevojshëm nëse procesi zgjedhor do të kishte funksionuar sipas standardeve në të gjithë hallkat e tij, standarde që LSI i ka kërkuar me forcë gjatë 4 viteve të fundit. Prandaj me qëllim që këto defekte dhe probleme zgjedhore të mos përsëriten përsëri në proceset e ardhshme zgjedhore, është e domosdoshme që një nga objektivat kryesore të legjislaturës së re të jetë përgatitja e një kodi zgjedhor që prodhon procese zgjedhore të pakontestueshme dhe sipas standardeve që na kualifikojnë si një vend anëtar i BE-së.”/tvklan.al