13 komisionerë të Partisë Socialiste në Qarkun e Beratit akuzojnë deputetin Erjon Braçe dhe selinë rozë për sulme të drejtuara në adresë të tyre në lidhje me procesin e administrimit të votës në zgjedhjet e 28 qershorit. Në një deklaratë për shtyp ata i bëjnë thirrje kreut të shtabit elektoral të Partisë Socialiste në Berat, Erjon Braçe që të ndalë sulmet, shpifjet dhe kërcënimet ndaj punës së tyre. Ata i kërkojnë kryesisë së Partisë Socialiste dhe degës së aj në Berat që të analizojë deklaratat e papërgjegjshme siç i cilësojnë ata prononcimet e zotit Braçe duke u shprehur të gatshëm për tu ballafaquar në çdo kohë e kudo për të vërtetën e votës më 28 qershor.
Më tej në qëndrimin e tyre të 13 komisionarët e selisë rozë me përgjegjësi të plotë ligjore e politike deklarojnë se kanë zbatuar kodin elektoral, duke mos lejuar asnjë deformim të vullnetit të popullit të Beratit.
Ndërsa në lidhje me zhurmën që sipas tyre ish-nënkryetari i grupit socialist Braçe ka bërë për vota të pavlefshme, në deklaratën për shtyp komisionerët sqarojnë anëtarësinë, simpatizantët e Partisë Socialiste si dhe mbarë opinionin publik se votat e pavlefshme në këtë qark zënë 3.4 % ose thënë ndryshe janë 765 ndaj totalit të votave të vlefshme që sipas tyre arrijnë në 21. 996, 1% mw pak se votat e pavlefshme të vitit 2007. Gjithashtu ata sqarojnë se nga 55 qendra votimi të zonës zgjedhore nr 1, 45 prej tyre i ka fituar PS me diferencë të ndjeshme, 30-60%, 8 qendra i ka fituar PD dhe 2 qendra votimi të tjera janë ndarë me diferencë 1 deri ne 2 vota midis dy partive të mëdha.
Përballë këtij rezultatit sqarohet në deklaratën për shtyp, 13 komisionerët theksojnë se askush, qoftë ky dhe deputet nuk ka të drejtë morale e politike e më tepër ligjore të akuzojë komisionerët e Partisë Socialiste si manipulues të votës së 28 qershorit. Më tej ata shtojnë se me përkushtim maksimal dhe profesionalizëm të lartë arritën të mbyllin një proces elektoral të konfirmuar pozitivisht nga komuniteti, vëzhguesit e OSBE ODIHR dhe subjektet e tjera politike.
Ndaj shqetësimi i tyre i drejtohet kryesisë së Partisë Socialiste që të marrë sa më parë në analizë deklaratat e papërgjegjshme siç i cilësojnë ata prononcimet e deputetit të qarkut të Beratit Erion Braçe./tvklan.al