Lajme Arkiva – TV Klan 2004
As dekreti i presidentit mbi ligjin e pronave nuk ka ndihmuar gjetjen e konsensusit mes partive politike.
Fatos Beja: “Kjo është një realitet i hidhur, është një realitet që ligjëron grabitjen e pronës dhe prandaj ne e denoncojmë dhe ne s’jemi dakord me nenet e këtij ligji”.
Taulant Dedja: “Ore po të them, kundër të gjithë grabitësve, qofshin grabitës socialistë, qofshin grabitës demokratë, se atje kanë vila dhe demokratët dhe socialistët dhe ti e di shumë mirë”.
Komisioni i Ligjeve mes debateve të ashpra ndërmjet anëtarëve demokratë dhe socialistë ka shtyrë shqyrtimin e ligjit të pronave për ditët e ardhshme, në kërkim të konsensusit. Demokratët vazhdojnë të këmbëngulin në drejtimin e komisionit të kthimit të pronave nga një i zgjedhur i presidentit, si dhe kthimin e pronave pa kufizim.
Ndërkohë që Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar një pjesë të vërejtjeve të presidentit në lidhje me kufizimin e kompetencave të komitetit të kthimit të pronave. Komisioni i Ekonomisë ka lënë në fuqi kufizimin prej 60 hektarësh të kthimit për tokat bujqësore me argumentimin se me anë të këtij kufizimi krijohet mundësi reale për kthim të pronave bujqësore.
Me propozim të deputetit republikan Begeja, ligjit iu shtua një pikë sipas së cilës, anëtarë lokal apo qendror të komitetit të kthimit të pronave shkarkohen kur pranojnë dhurata. Ndërkohë që trualli i marrë me koncesion do t’i lihet për shitje koncensionarëve, ndërsa trualli i dhënë me qira do t’i kthehet pronarëve pas përfundimit të kontratave të qirave të nënshkruara nga ana e shtetit.
Ligji i pronave pritet të përfundoj miratimin gjatë kësaj jave në parlament./tvklan.al