Qeveria ka identifikuar një sipërfaqe prej 4 mijë hektarësh në bregdet e cila do të përdoret për kompensimin fizik të pronarëve. Kjo është harta me parcelat që po verifikohet për t’u futur në skemën e kompensimit.

Këshilltari i kryeministrit për çështjen e pronave, Fatmir Kuçi, shpjegon se bëhet fjalë për tokë shtetërore që më së shumti gjendet në bregdetin verior, nga Kavaja në Velipojë. Ngjyra e blertë tregon pikërisht tokën në pronësi të shtetit, e cila do të shkojë në funksion të pronarëve të vjetër.

Fatmir Kuçi: “Sot rezulton që një sasi pasurish rreth 4 mijë Ha, që nuk pretendojmë që kjo të ezaurojë si të thuash procesin e kompensimit fizik. Po bëhen verifikime në zyrat e regjistrimit të pasurive, por po bëhen verifikime, do fillojnë së shpejti verifikimet përkatëse edhe në vetë agjencinë. Nga një informacion paraprak janë asete që nuk janë subjekt i procesit të kthimit.”  

Këshilltari i kryeministrit zbulon se për herë të parë mendohet të zbatohet një skemë kompensimi alternative, që pritet të kënaqë pronarët e vjetër dhe nga ana tjetër të ndihmojë zhvillimin e turizmit elitar. Pronarët historik do të bëhen aksioner në këto investime duke përfituar të ardhurat nga qiraja e tokës.

Fatmir Kuçi: “Në qoftë se këta asete do të vihen në shfrytëzim për resortet turistike në një farë mënyrë pronarët historik të kompensuar në këto terrene do të ishin bashkë-askioner të këtyre investimeve duke siguruar me një plan likuidimi të mirë përcaktuar, duket siguruar kompensimin e tyre në vite. Në zonën e Velipojës, bëhet fjalë për zonën e Shëngjinit, bëhet fjalë për në zonën në veri të Durrësit, bëhet fjalë edhe për zonën e Kavajës, bëhet fjalë edhe për pjesën e Lezhës e Kurbinit.”

Kuçi shton se ka me dhjetëra kërkesa nga investitorë të huaj, nga Italia deri në Dubai, për ngritjen e resorteve turistike në bregdetin shqiptar./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro