Tirana do ta presë sot ardhjen e Vitit të Ri 2018 në sheshin “Skënderbej”. Me rastin e ndërrimit të viteve, Bashkia e Tiranës ka përgatitur disa surpriza, duke nisur nga koncerti me këngëtarët më të njohur të muzikës shqiptare, e deri te shfaqja e mrekullueshme e fishekzjarreve që do të nisë me numërimin mbrapsht në orën 24.00.

 Festa do të nisë në 22:30 të mbrëmjes me Koncertin e Vitit të Ri, ku do të performojnë këngëtarët e njohur Elhaida Dani, Tiri & Band, Kastro Zizo, Beatrix Ramosaj, Elgit Doda dhe Ronela Hajati, të cilët premtojnë një atmosferë festive dhe të gëzueshme për të gjithë qytetarët e Tiranës që Vitin e Ri do zgjedhin ta presin në sheshin “Skënderbej”.

Kësaj atmosfere do t’i shtojë magjinë e saj spektakli i fishekzjarrëve, i cili do të kulmojë në çastin e ndërrimit të viteve.

 Për ta kthyer këtë mbrëmje në një moment vërtet festiv dhe të paharrueshëm, Bashkia e Tiranës fton qytetarët e saj në sheshin “Skënderbej”, për ta pritur të gjithë së bashku Vitin e Ri 2018

./tvklan.al