Kosova u bë anëtare e Bankës Botërore. Kryeministri Hashim Thaçi, tha të enjten se qeveria e tij ka pranuar konfirmimin se bordi i guvernatorëve të grupit të Bankës Botërore ka aprovuar rezolutën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë. Gjatë një konference për gazetarë numri 1 i ekzekutivit tha, se ky është sukses i madh për Kosovën edhe popullin e saj.

Hashim Thaçi: “Kjo tregon edhe një herë konfirmimin dhe përkushtimin e qeverisë për të punuar në drejtim të anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare.”

Sipas Thaçit anëtarësimi në Bankën Botërore është një hap përpara në arritjen e objektivit për të qenë shtet demokratik dhe me prospektivë të sigurt për integrim në Bashkimin Evropian. Ai vlerëson se nuk  ka institucion më të rëndësishëm për ta ndihmuar vendin se sa Banka  Botërore.

Hashim Thaçi: “Është një mbështetje që i ka munguar çdo herë Kosovës, është një mbështetje prej vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, po është mbështetje edhe të vendeve që janë në procedurë të njohjes së shtetit të pavarur sovran dhe demokratik.”

Duke respektuar rregullat që ka Banka Botërore Kryeministri Thaçi nuk e tha dot se sa shtete kanë votuar pro anëtarësimit të Kosovës. Anëtarësimin e vendit në Bankën Botërore e përshëndeti dhe presidenti i shtetit Fatmir Sejdiu, megjithatë ai tha se janë rreth 100 që kanë votuar pro anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion./tvklan.al