Brenda pak orësh përfundon votimi për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ministri i Ekonomisë dhe Financave të Kosovës, Ahmet Shala shprehu bindjen e tij se Kosova do të marrë dritën jeshile, por zyrtarisht njoftime pro apo kundër anëtarësimit do të dërgohet pas 3 ditësh
Ahmet Shala: “Gjithsesi është me rëndësi që ne po e kalojmë edhe këtë sfidë dhe ky është një konfirmim për besimin që bashkësia ndërkombëtare paraqet para qytetarëve të Kosovës, para lidershipit kosovar dhe drejt perspektivës së Kosovës në tryezën e të barabartëve.”
Anëtarësimi në FMN sipas ministrit Shala do t’i krijojë mundësi Kosovës në qasje në kredi të buta, mjete këto që do të përdoren për realizimin e projekteve zhvillimore, por ekspertët alarmojnë për rrezikun që do të barte marrja e një kredie të tillë.
“Mendoj që qasja në financat e Fondit Monetar Ndërkombëtar duhet të jetë vetëm si hap i fundit në mungesë të mjeteve të Kosovës.”
Ministri Shala njoftoi se ka filluar procesi i votimit për anëtarësimin e Kosovës edhe në Bankën Botërore, i cili do të përfundojë më 3 qershor. Parakushti kryesor për pranimin në këtë institucion tjetër është anëtarësimi në FMN./tvklan.al