Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka raportuar në Kuvend lidhur me punën e institucionit që drejton, përgjatë një viti. Gjatë fjalës së tij ai e vuri theksin tek “aktorë” të jashtëm që përpiqen të komentojnë vendimet gjyqësore, apo edhe t’i anatemojnë.

“Ka patur raste edhe të komentimit të vendimeve gjyqësore, kritika ndaj tyre, madje dhe deri në anatemimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve apo të magjistratëve nominalisht. Edhe nga opinioni publik. Edhe nga politika. Nuk është e lehtë për magjistratët, por vlerësoj se ky është një proces dhe një sfidë që duhet të përballohet nga ana e tyre, pasi në këtë rast duhet të prevalojë e drejta e publikut mbi mbikëqyrjen e punës së tyre, pse jo edhe angazhimin në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e administrimit të drejtësisë. Ajo që duhet thënë është se niveli shpeshherë i tejkaluar i kritikës ndaj punës së tyre, nuk i prek dhe as nuk i ul aspak garancitë që Kushtetuta ka dhënë për pavarësinë e gjyqtarëve e prokurorëve, në punën e diskrecionin e vendimmarrjes së tyre.”

Metani u shpreh se Zyra e Inspektorit të Lartë ka evidentuar vazhdimisht shkeljet nga ana e magjistratëve dhe se ky model pune do vijojë i tillë.

“Nëse sistemi i drejtësisë përballet me mangësi apo problematika në kuadër të integritetit, pavarësisë apo efiçencës, kjo nuk është përgjegjësi, vetëm e magjistratëve. Këto problematika kërkojnë një adresim të qartë dhe zgjidhje të kujdesshme, në aspekt sistemik dhe nuk mund të adresohen vetëm nëpërmjet sistemit të përgjegjësisë së magjistratëve, siç pretendohet vazhdimisht, mbi rolin dhe funksionet e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Dua ta theksoj se që nga momenti i krijimit, e deri në ditët e sotme, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka luajtur një rol proaktiv, në lidhje me identifikimin dhe hetimin e shkeljeve disiplinore të kryera nga ana e magjistratëve. Dhe ky model pune do të vijojë edhe në vazhdim dhe gjithmonë, por gjithnjë duke respektuar parimet e një procesi të rregullt ligjor dhe mbështetur mbi një gur themeli të rëndësishëm të shtetit të së drejtës dhe demokracisë së një vendi, siç është ai i pavarësisë së sistemit gjyqësor.”

/tvklan.al