Garës së debatit mes të rinjve socialistë që votojnë për herë të parë këtë fundjavë iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës. Nga Kampi i Jalës Veliaj tha se betejat në politikë duhet të jenë mes ideve dhe alternativave që sjellin përparim për vendin.
“Nuk duhet të jetë dhuna apo degradimi i figurës së tjetrit ajo që përcakton të bërit politikë. Fatkeqësisht, kjo nuk kuptohet nga të gjithë. Duhet të mësojmë se brezi i ri nuk vjen me kulturën verbale të dhunimit të tjetrit, të përçundimit të tjetrit, të uljes së reputacionit të tjetrit, por vjen me një sens gare me ide. Shpresoj që të jeni ju kjo gjeneratë.”
Veliaj ishte i shoqëuar edhe nga ministri i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku, i cili theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë.
“Në përgjithësi njerëzit, dhe veçanërisht të rinjtë, kanë deri diku një opinion jo të mirë për politikën. Vende-vende edhe me të drejtë, sepse shohin një pjesë të politikës, ku ka ca njerëz që zihen me ca të tjerë, zihen në Parlament, hedhin molotovë, bëjnë sherr, bërtasin, shajnë tjetrin, ‘ti je hajdut, ti je maskara’. Me të drejtë, një pjesë të njerëzve kjo i vë në siklet, por një ndër shprehjet që më ka bërë gjithmonë të mendoj është: ‘Nëse ti mendon se je shumë i mirë për t’u marrë me politikë, mallkimi yt për këtë punë është se do të qeverisesh nga njerëz që janë inferiorë ndaj teje.’”
Për tre ditë në garën mes 6 ekipeve të rinjtë mësuan se si të formojnë një skuadër, të debatojnë e të flasin në publik.
Tv Klan