Lëvizja Socialistë për Integrim ka nënshkruar marrëveshjen e koalicionit në zgjedhjet e 28 qershorit me Partinë Toleranca e Re, e cila përfaqëson komunitetin rom dhe egjiptian në vend. Nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje kreu i LSI-së, Ilir Meta e cilësoi si një hap të rëndësishëm në politikën shqiptare, pasi për herë të parë një koalicion i tillë i jep mundësi këtij komuniteti të jetë pjesëmarrës në politikën shqiptare.
Ilir Meta: “Programi ynë për t’i dhënë fund përjashtimit të komuniteteve rome dhe egjiptiane në Shqipëri, filloi pikërisht me nënshkrimin e kësaj marrëveshje pasi jepet mundësia për herë të parë këtyre komuniteteve që të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.”
Duke deklaruar se integrimi i pakicave është një hap i rëndësishëm për një Shqipëri evropiane, Meta shprehu gjithashtu angazhimin e partisë që drejton për të pajisur me karta identiteti këtë komunitet./tvklan.al