Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Lëvizja Reformatore e Partisë Demokratike, Lëvizja për Demokraci dhe Partia Demokratike e Djathtë, kanë deklaruar sot zyrtarisht shkrirjen e tyre dhe bashkimin në një forcë të vetme. Në një konferencë për shtyp, anëtarët e kryesisë së partisë së re, të cilët do të drejtojnë së bashku Genc Pollo, Dashamir Shehi, Petrit Kalakula, Albert Brojka dhe Nard Noka, i kanë bërë thirrje të gjithë masës së PD, të bashkohet në këtë formacion të ri.
Genc Pollo:- “Nuk jemi një parti e re, apo një grup i krijuar rishtas, ne jemi Partia Demokratike, po jo ajo që jeni mësuar të shihni nëpër rrugë, por një PD alternative, që i mbetet besnike vlerave dhe idealeve të Dhjetorit, por që është e aftë të udhëheq vendin në shekullin e ri”.
Forumi drejtues deri në konferencën e ardhshme i partisë së re emri i saktë i së cilës do të përcaktohet më vonë është këshilli kombëtar. Në konferencën e jashtëzakonshme që do të mbahet së shpejti, do të zyrtarizohet shkëputja e lëvizjes reformatore, nga pjesa tjetër e PD, si dhe aprovimi i statutit dhe projektplatformës./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego