Për zgjedhje do të kemi administratë të pavarur
Edi Rama nuk ka asnjë pritshmëri që 2020 do të sjellë ndonjë ndryshim sa i takon situatës politike. Pas mbledhjes se kryesisë socialiste ai tha se nuk është në pritje që opozita jashtë parlamentit t’i përgjigjet ftesave të përsëritura të shumicës për të dialoguar.
“S’mund të presim sa të zgjohen nga gjumi, të shtriqen.. ne do të vazhdojmë..”.
Edhe për reformën zgjedhore edhe pse thotë se gjithkush është i mirëpritur të sjellë propozimet e tij, Rama e sheh si të rëndësishme faktin se ekspertet e komisionit kanë gati amendimet që i japin zgjidhje depolitizimit të administratës zgjedhore.
“E rëndësishme është që për herë të parë do të kemi administratë zgjedhore të pavarur…”.
Për 3 bashkitë që janë pa kryetar, Shkodra dhe Vora për shkak të dekriminalizimit dhe ajo e Durrësit pas dorëheqjes se Valbona Sakos, thotë se janë në pritje të dekretit të presidentit. Por thotë se qeverisja nuk është e varur as nga presidenti, ndaj shprehet se puna do të vazhdojë.
“E ka bërë histori dekretesh dhe çdekretesh..ne do vazhdojmë, në Shkodër situata më e ndërlikuar”.
Kryesia socialiste ka diskutuara për kandidaturat për kryetar të partisë në çdo njësi lokale, që do të bashkëdrejtohen nga një burrë dhe një grua. Ndërsa është vendosur që data e kongresit të jetë 29 shkurti.
Tv Klan