Lajme Arkiva 2003
Kryeatri i Partisë Demokratike Sali Berisha e ka përqendruar sulmin e opozitës në një dikaster tjetër të qeverisë në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe Decentralizimit. Zoti Berisha ka denoncuar si të rrezikshëm dhe destabilizues projektin qeveritar për ndarjen e re administrative të vendit. Sipas zotit Berisha ky projekt që po kryhet në fshehtësi synon manipulimin e zgjedhjeve lokale nga frika e socialistëve për humbjen e pushtetit.
Sali Berisha: Duke e denoncuar si një veprimtari thellësisht destabilizuese të ministrit sherrmbjellës Blushi, të qeverisë socialiste dhe të Partisë Socialiste kemi kërkuar në të gjitha institucionet kryesore të vendit që të thirren ekspertë ndërkombëtarë dhe ndarja të bëhet në përputhje me standardet evropiane në mënyrë që komunat dhe bashkitë e Shqipërisë të jenë të përgatitura për bashkëpunim rajonal dhe bashkëpunim direkt me Brukselin. Por në qoftë se s’premton koha të shtyhet kjo dhe ti lihet zgjedhjeve të tjera kjo. Nuk premton koha për ata të cilët po humbasin pushtetin dhe duan me çdo kusht nëpërmjet manipulimit të mbeten në pushtet, por e kanë gabim shumë se në këtë mënyrë po e çojnë vendin drejt destabilizimit.
Për të ndryshuar ligjin për ndarjen e administrative duhen 84 vota në parlament çka e bënë të domosdoshëm konsensusin e opozitës, ndërsa kushtetuta e bënë të detyrueshme konsensusin e opozitës.
Ndërsa Kushtetuta e bën të detyrueshme zhvillimin e referendumit në zonat që preken nga ndarja e re administrative, lideri i opozitës Berisha ka filluar të informoj institucionet ndërkombëtare në Shqipëri për këtë lëvizje të qeverisë dhe do ta diskutoj këtë çështje edhe në Strasburg në seksionin e dimrit të asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës./tvklan.al