Me mbylljen e 2009-ës, një nga vitet më të egër për financat botërore, dhe në emër të angazhimeve për një erë të re investimesh në Shqipëri gjatë 2010-ës, kryeministri Sali Berisha në takimin e fillim vitit me investitorët e huaj në vend deklaroi mirënjohjen dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare që bënë të mundur rritjen ekonomike, një arritje kjo vetëm për Shqipërinë në Europë.

Për rrjedhojë kreu i qeverisë inkurajoi liderët e investimeve në vend për të sintonizuar përpjekjet e përbashkëta me qeverinë në zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

Sali Berisha: “Është një privilegj për mua t’iu u përshëndes ju në hapjen e erës së re, që le ta quajmë erën e re të investimeve. Unë mendoj se së bashku kemi shumë arsye për të qenë mirënjohës ndaj vitit 2009. Ne mbyllëm vitin më të stuhishëm për financat botërore, por unë mendoj se ju ia dolët më mirë sesa investitorët në çdo vend tjetër. Qeveria ime ka rritur këtë vit pesë herë më shumë buxhetin për moshën e internetit, por nuk mund të krahasohet me kontributin dhe përpjekjet tuaja. Ne jemi të gatshëm në çdo gjë, për t’ju ndihmuar  dhe për të bashkëpunuar me ju, për një Shqipëri dixhitale.”

Kreu i qeverisë foli për dy reforma të rëndësishme që po ndërmerren në ndihmë të biznesit të huaj.

Sali Berisha: “Njëra prej tyre lidhet me investimet e huaja direkte. Ne po ristrukturojmë Albinvestin, Agjencinë e investimeve të huaja direkte. Ne po mundohemi ta transformojmë atë në një lloj One Stop Shop-i, por Shoqëria juaj mund të ishte Albinvesti më i mirë në disa aspekte. Prandaj, unë kërkoj ndihmën, angazhimin dhe mbështetjen tuaj, për promovimin e potencialeve të Shqipërisë në vendet tuaja. Një reformë që më pëlqen shumë është reforma e inspektorateve. Me pëlqen ligji, por ata që vijnë tek ju, duhet të jenë njerëz të ligjshëm, ata nuk duhet t’ju injorojnë ju, prandaj, së bashku me Bankën Botërore, po punojmë për një sistem të ri të inspektoratit, që kontrollon ligjin në mënyrën më të ligjshme. Ne do të zbatojmë një sistem të ri inspektorati dhe do të lehtësojmë së tepërmi barrën e tij mbi biznesin.”

Po kështu kryeministri vlerësoi edhe sistemin bankar në vend.

Sali Berisha: “Bankat private në Shqipëri treguan forcën e tyre në kohën e cunamit botëror. Ato ishin dhe janë plot me likuiditete. Ato janë të shëndetshme dhe kanë një performancë shumë të mirë.”

Duke iu përmbajtur synimit për reforma të thella e të mëdha që do të gjejnë zbatim gjatë 2010-ës, kryeministri Berisha u premtoi investitorëve një Shqipëri të tillë europiane, ku çdo qytetar do të ketë deklaratën integrale të të ardhurave.

Kjo sipas kryeministrit nënkupton më shumë transparencë dhe një liri më të gjerë për biznesin, për të mbërritur në premtimin që 2010-a pas kapërcimit të krizës me anë reformash, të jetë viti më i suksesshëm për investimet në Shqipëri./tvklan.al

Gazetar: Irma Toptani