Nevoja për të larguar ngasjen nga korrupsioni ishte pjesë e mesazheve dy krerët e Kisha Katolike dhe Ortodokse përcollën në vigjilje të Krishtlindjeve. Arqipeshkvi i Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo e vuri theksin tek nevoja që ka shoqëria për t’u shkëputur nga klientelizmi.
Imzot George Frendo:
Njeriu nuk duhet të ketë nevojë të afrojë një deputet, që t’i afrohet puna. Nevojë që t paguajë një kirurg në një spital publik, që të bëjë një operacion. Nuk do të ketë nevojë që të korruptojnë një gjyqtar që të marrë vendimin e drejtë në Gjykatë.
Ndërsa Kryepeshkopi i Kishës Orthodhokse, Anastas Janullatos foli për një pasiguri që dominon sot gjithë shoqërinë.
Anastas Janullatos:
Të gjithë e dimë se tronditja dhe pasiguria që helmojnë shoqërinë, mbahen në këmbë nga korrupsioni shumëformësh, të cilin e ushqejnë gënjeshtra, lakmia, egocentrizmi, arroganca. Shumë përpiqen të përballen me të duke akumuluar pasuri materiale të çdo lloji. Të tjerë kërkojnë miq të fortë, njerëz me pushtet politik dhe ekonomik.
Udhëheqësit shpirtërore të dy besimeve fetare thanë se rikthimi te vlerat njerëzore është rruga e prosperitetit për çdo shoqëri njerëzore.
Tv Klan