Ndalesa e radhës e kryesocialistit Edi Rama me rrjetin e vullnetarëve ka qenë në qytetin e Skraparit.
Gjatë takimit me të rinjtë, mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Socialiste, Rama vuri theksin tek realiteti i zymtë që sipas tij mund ta shohësh në këto zona të largëta, të braktisura dhe të keqpërdorura nga politika e vjetër.
Edi Rama: “Politika e re nuk i konsideron Skraparin apo Shkodrën si bastione të atyre që zgjidhen, po si bastione që zgjedhin. Nuk i konsideron Skraparin dhe Shkodrën si bastione të atyre që përfaqësojnë njerëzit, por si bastione të njerëzve që meritojnë të përfaqësohen më mirë, më denjësisht dhe që meritojnë që me votën e tyre të marrin mbrapsht ato për të cilat votojnë.”
Kryetari socialist u ka bërë apel qytetarëve të Skraparit për një bashkim të ri që sipas tij bashkë me votën e shumicës së shqiptarëve do të sjellin ndryshimin e shumëpritur.
Edi Rama: “Nuk kam ardhur këtu për ta ndarë, por për ta bashkuar Skraparin. Nuk kam ardhur këtu për t’iu thënë pse nuk duhet të shikoni majtas e djathtas, por kam ardhur për t’iu thënë pse duhet të shikojmë të gjithë së bashku drejt dhe përpara për një politikë të re, e cila nuk është e politikanëve, por është e qytetarëve”.
Rama ka premtuar se me ardhjen e socialistëve në pushtet do të nxiten politika integruese të vendit që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave dhe zhvillimin e sektorëve të tjerë jetik për punësimin dhe mirëqenie të qytetarëve./tvklan.al