Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu me shqetësim mbi situatën në të cilën ndodhen minatorët dhe sektori i minierave në vend.

Duke shprehur solidaritetin e selisë rozë me atë që e cilësoi si shtresa më e varfër e shoqërisë shqiptare Rama përmendi propozimin për miratimin e ligjit për pensionet, iniciativë e cila ndeshi në kundërshtinë e përfaqësuesve të mazhorancës në komisionin e ekonomisë.

Edi Rama: “Pensioni i këtyre njerëzve që punojnë çdo ditë me hijen e vdekjes në kurriz është vetëm 67 mijë lekë të vjetra në muaj. Propozimi ynë që u rrëzua nga përfaqësuesit e forcave të papërgjegjshme, të paafta e të korruptuara qeveritare në komisionin parlamentar të ekonomisë ishte që ky pension të rritet menjëherë në 100 mijë lekë me një efekt në buxhetin e shtetit prej vetëm 1 milion dollarësh në vit”.

Rama i kërkoi kryeministrit Berisha të mos heshtë përballë problemeve që kanë sot minatorët, të cilët ndodhen tashmë në ditën e dhjetë të grevës së urisë.

 Edi Rama: “Sot dua t’i bëj një apel kryeministrit të Shqipërisë që të zbresë nga mali i gënjeshtrave. Është koha që Sali Berisha të kuptojë se kjo pjesë e mbetur e mandatit të tij të dështuar është kapitulli më i rrezikshëm i degradimit të një qeverisje të papërgjegjshme, të paaftë e të korruptuar si e tija dhe të bëjë çfarë të mundet që këtë degradim të mos vazhdojnë ta paguajnë me jetën e tyre shqiptarët e pafajshëm duke filluar nga minatorët”.

Rama i kërkoi gjithashtu kryeministrit të tërhiqet nga qëndrimi kundër projektligjit të pensioneve dhe ta votojë atë në kuvend./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi