Turi i takimeve të kryetarit socialist, Edi Rama, me Rrjetin e Vullnetarëve është ndalur në qytetin e Përmetit.
Gjatë fjalës së tij lideri i opozitës u shpreh se sfida e zgjedhjeve të 28 Qershorit do të jetë ndarja nga politika e vjetër e premtimeve boshe dhe ndërtimi i një politike të re që do të bëjë realitet ëndrrën e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë.
Edi Rama: “Zgjedhjet e 28 Qershorit nuk janë zgjedhje për të ndërruar një kryeministër me një tjetër, ca ministra me ca të tjerë. Unë dua ta fitoj këtë garë jo për të vazhduar shfaqjen që shohim prej 18 vjetësh në politikën dhe qeverisjen e vendit, por për të bërë të mundur që të shfaqim së bashku më të mirën që kemi brenda nesh dhe ta bëjmë Shqipërinë ashtu siç përshkruhet në amanetin e të parëve tanë dhe siç është në ëndrrat e fëmijëve tanë.”
Rama ka shprehur bindjen se zgjedhjet e ardhshme do të jenë triumfi i një bashkimi të ri përtej së majtës dhe së djathtës.
Edi Rama: “Unë do ta fitoj këtë garë bashkë me ju sepse besoj tek Shqipëria, besoj tek talenti dhe forca e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, besoj tek një atdhe të cilit Zoti i ka dhënë gjithçka i duhet për të qenë i begatë dhe unë besoj se asgjë nuk është e pamundur në rast se ne jemi të gjithë bashkë”.
Duke theksuar se zgjedhjet e 28 Qershorit janë historike për fatet e vendit Rama ka bërë thirrje për pjesëmarrje të madhe në kutitë e votimit./tvklan.al
Gazetar: Njazi Sako