Grenell: Biden përbuz Kosovën dhe Serbinë
Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i ish-presidentit Trump për dialogun Prishtinë-Beograd, shkruan se fakti që Kosova nuk do të jetë e përfaqësuar në mesin e 100 shteteve të ftuara nga Shtëpia e Bardhë, për Samitin e Demokracisë dëshmon se presidenti Biden po e përbuz Kosovën dhe Serbinë dhe po e përdor atë rajon për të luajtur politikë personale.
Sipas tij ish-presidenti Trump kujdesej për Ballkanin Perëndimor, duke injoruar politikën personale dhe duke e nxitur zhvillim ekonomik te shteteve duke u kujdesur thellësisht për përmirësimin e jetës së njerëzve.
Grenell thekson se Trump hodhi poshtë lojërat e politikanëve të 20 viteve të fundit dhe në vend të kësaj nxiti krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik. Punë jo politikë ka përfunduar shkrimin në Twitter Grenell.
Ish-negociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka shkruar në llogarinë e saj në Facebook, se fakti që Shtëpia e Bardhë nuk e ftoi Kosovën në Samitin e Demokracisë të organizuar nga Presidenti Amerikan Joe Biden është një mesazh që duhet të lexohet me kujdes.
Klan News