Pak ditë pas largimit të trajnerit Loncarevic klubi i Tiranës mblidhet për rreth dy orë për të analizuar gjendjen në ambientet e fushës së stërvitjes Skënder Halili. Cili do të jetë trajner i ri, si do të dilet nga ajo që dikush nuk nguron ta quajë krizë.

Alban Tafaj: “Në diskutuam tani me grupin sepse është një moment që është grupi ai që do vendosi për ecurinë e skuadrës sepse ato janë protagonistët, ato janë aktorët që luajnë në fushë.”

Në një farë mënyrë drejtori teknik i skuadrës e thotë se vetë futbollistët e Tiranës e vendosin fatin e trajnerit të tyre. Por a kanë qenë ata që larguan Loncarevicin? Tafaj e mohon.

Alban Tafaj: “Jo, si rrallë ndonjëherë vetë rezultatet flasin në disfavor të Loncarevicit.”

Para disa muajsh në ardhjen e tij Ilje Loncarevicit iu bë një publicitet i madh nga presidenti i klubit, Refik Halili.

Punësimi i kroatit u konsiderua si një sipërmarrje që nuk e kish arritur as federata shqiptare e futbollit.

Refik Halili: “Nuk jam i penduar për ato që kam thënë për trajnerin që sapo iku. Do të thoja një gjë që është shumë e rëndësishme për të gjithë ato që kanë drejtuar Tiranën si trajner. Është një rezultat shumë i dobët, gjë që nuk ka ndodhur pak a shumë në kaq vite te klubi i Tiranës.”

Halili mohon ti ketë diktuar Loncarevicit formacionin dhe premton se për dy ditë Tiranën do ta drejtojë një trajner me gjak tiranas. Një këngë e vjetër kjo me refren të ndryshuar herë pas here.

Refik Halili: “Sa të jem unë në drejtimin e klubit të Tiranës, eksperiencë që unë e pashë nuk do të ketë më trajner të huaj. Kam folur me Deden, kam vazhduar kam folur edhe me Tafajin, vazhdoj flas dhe gjithmonë konsultohem me kapitenin e skuadrës Mukën, i cili nuk ndahet as ai nga unë dhe as unë nga ai, për të bërë më të mirën për klubin e Tiranës.”

Tirana është kampionia e Superligës. Aktualisht gjendet në vendin e 6 me 8 pikë dy ndeshje të fituara, dy të humbura dhe dy barazime./tvklan.al