Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Deputeti Dritan Prifti ka paraqitur një letër me katër pika për diskutim në mbledhjen e kryesisë së PS. Së pari, nisur nga ofendimet e një shkrimi në gazetën “Zëri i Populli”, deputeti Prifti i kërkon sekretarit të përgjithshëm Gramoz Ruçi, që të korrigjojë që urgjentisht frymën diskriminuese në këtë prag fushate elektorale.

Së dyti, nëse keni shqetësim për mënyrat dhe metodat transparente, llogaridhënëse, kritike, të cilat unë dhe disa deputetë të tjerë të PS kemi përqafuar për të bërë një fushatë fituese për këto zgjedhje, mendoj se është detyra juaj të përpunoni një platformë dhe strategji, tek e cila duhet të mbështetemi të gjithë pa devijime për të bërë këtë fushatë, shprehet në letrën e tij Dritan Prifti.

Së treti, deputeti Prifti kërkon, që kryesia e PS të mbajë një qëndrim të rreptë ndaj atyre socialistëve, që për shkak të pakënaqësive dhe moskandidimit në zgjedhjet e ardhshme, vendosi që të kandidojnë si të pavarur ose si kandidatë të partive aleate. Së fundi, deputeti Prifti i kërkon qeverisë të shmang reagimet ekstreme ndaj mediave, duke i hequr licencën, ose duke i ndërprerë sinjalin transmetues./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj