Liderët ervropianë kanë dënuar atentatin ndaj kryeministrit sllovak Robert Fico.
Kryeministri Edi Rama në një reagim në rrjetin social “X” shkruan se është i tronditur nga ngjarja e rëndë.
“Jam thellësisht i tronditur dhe i pikëlluar nga lajmi i makthshëm i sulmit ndaj kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike të Sllovakisë. Roberti është një i mbijetuar i fortë dhe një mik i dashur, dhe unë shpreh urimet e mia të përzemërta për një shërim të shpejtë dhe një rikthim të jashtëzakonshëm.”
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen theksoi se “Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, të mirën tonë më të çmuar të përbashkët. Mendimet e mia janë me kryeministrin Fico, familjen e tij”, u shpreh ajo.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola dhe kryeministri holandez Mark Rutte u shprehën se ishin të tronditur nga lajmi.
“Asgjë nuk mund të justifikojë dhunën apo sulme të tilla”, shkroi Michel.
I tronditur për sulmin u shpreh dhe kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak.
“Të tronditur kur dëgjova këtë lajm të tmerrshëm. Të gjitha mendimet tona janë me kryeministrin Fico dhe familjen e tij.”
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e quajti sulmin ndaj Ficos si “të tmerrshëm”.
“Duhet të bëhet çdo përpjekje për t’u siguruar që dhuna të mos bëhet model në asnjë vend, asnjë formë e asnjë sferë”, shkroi Zelensky në X.
Edhe Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg iu bashku liderëve botërore të cilët dënuan sulmin e rëndë.
“I tronditur dhe i tmerruar nga të shtënat ndaj kryeministrit Robert Fico. I uroj forcë për një shërim të shpejtë. Mendimet e mia janë për të, të dashurit e tij dhe popullin e Sllovakisë”.
Sulmi ndaj kryeministrit Fico është dënuar pothuajse nga të gjitha vendet e Europës.
Klan News