Gërryerja dhe erozioni nga lumi Seman ka bërë që 80 hektarë tokë bujqësore në fshatrat Sukë dhe Arapaj të rrethit të Fierit të mos figurojnë më në regjistrin e tokave.

Mungesa e paneleve të betonit ka bërë që prurjet e lumit të kapërdijnë çdo vit 20 metra tokë bujqësore.

Fermerët shprehen se nëse nuk do të ndërhyhet me këto ritme toka e tyre në pak vjet nuk do të ekzistojë më.

Asllin Cjapi: “Unë vetë atje kam patur rreth 2 hektarë tokë. Deri tani më ka arritur 1 hektar, bile më ka marrë rreth 50% të tokës edhe nga viti në vit sa vjen lumi ha gjithmonë”.

Veli Agaçi: “Shumica e fermerëve që kanë marrë toka bujqësore që aktualisht figurojnë si pronarë të ligjshëm sot nuk janë pronarë pasi pronari është lumi Seman. Ministria e Bujqësisë i ka të gjithë mundësitë për rehabilitimin dhe sistemimin e këtyre tokave bujqësore me panele”.

Por mungesa e paneleve të betonit nuk është problemi i vetëm. Edhe argjinatura e lumit rrezikon të shembet si pasojë e degradimit në vite.

Safet Ruko: “Në pjesën e argjinaturës s’është bërë asnjë ndërhyrje. Argjinatura është amortizuar tej mase që në një prurje të vrullshëm të lumit është mundësia që fshati që është përbri të mbytet i tëri”.

Edhe pse lumi ka marrë një pjesë të konsiderueshme të tokave të tyre fshatarët vazhdojnë të paguajnë taksën për prodhimin me shpresën se të paktën lumi që u ka përpirë tokat do të mbetet në pronësi të tyre./tvklan.al