Fillimi i procesit të verifikimit të titujve të pronësisë ka dyndur në zyrat e komisioneve vendore qindra qytetarë që kanë konflikte pronësie. Durrësi dhe Fieri janë dy nga qarqet me numrin më të madh të kërkesave të depozituara. Përveç kontrollit për ndarjen e tokës sipas ligjit 7501, komisioni vendor në Qarkun e Durrësit do verifikojë rregullsinë e përfitimit të pronësisë në zonat bregdetare dhe ato me prioritet turistik.
Klodjan Pajuni: “Në vijën bregdetare nuk do presim ankesa, do ta marrim gjithë vijën bregdetare për të parë në këtë vijë bregdetare ka ndarje të tokës me 7501 apo tokës së fermës apo jo. Në qoftë se ka … dhe do ti hiqet automatikisht.”
Në qarkun e Fierit nga 650 kërkesa të depozituara, pjesën kryesore të ankesave e zënë problemet me dokumentacionin e tokës dhe mangësitë në sipërfaqet e regjistruara.
Qytetar 1: “Problemi im qëndron të një numër toke që nuk ka numrin e duhur sipas hartës kadastrave.”
Qytetari 2: “Kur u bë menaxhimi i tokës u bë për së dyti toka, mua më kanë lënë një parcelë pa matur.”
Arben Duka: “ Ka shumë familje që kanë mungesë në sipërfaqet e tokës. Konfliktet që kanë lindur midis pronarëve dhe agjencisë Kthimit dhe Kompensimit të pronave. Kemi ndarje administrative kufijsh midis fshatrave ose dhe midis rretheve.”
Vendimet e para për zgjidhjen e konflikteve të pronësisë do të jepen pas verifikimit në terren nga grupet e punës të të gjitha ankesave. Përfundimi i këtij procesi pritet t’i japë fund abuzimeve me pronat e regjistruara në pjesën më të madhe të vendit./tvklan.al
Gazetar: Enkelejda Arapi, Kristaq Thano