Në ditën e fundit të vizitës në SHBA, Ministri i Shtetit për Diasporën zhvilloi një takim të rëndësishëm në Departamentin Amerikan të Shtetit. Pandeli Majko u takua me Zv. Drejtoren e Zyrës për Çështjet e Evropës Qëndrore e Jugore Susan K. Falatko.
Në fokus të bisedimeve ishte reforma në fushën e diasporës, me Ministrin që informoi zyrtaren e lartë për arritjet dhe përpjekjet që po bëhen në bashkëpunim me qeverinë në këtë aspekt.
Majko foli gjithashtu edhe për rritjen e koordinimit me vendet fqinje, si një mënyrë për ta bërë më të efektshme punën në mbështetje të diasporës. Një tjeter çështje e rëndësishme e prekur në bisedime ishte heqja e taksave të dyfishta mes dy vendeve. U fol edhe për një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore.
Gjatë bisedës u vu theksi tek rëndësia e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, ndërsa zyrtarja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit shprehu mbështetjen në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “SHBA qëndron në krah të Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian”, ishin fjalët e Zv. Drejtores së Zyrës për Çështjet e Evropës Qendrore e Jugore.
/tvklan.al