Gazment Bardhi përsëriti këtë të Enjte në “Opinion” akuzat e tij ndaj vëllait të kryeministrit, Olsi Rama. Sipas tij ky i fundit është i përfshirë në çështjen e laboratorit të drogës në Xibrakë, duke u ndalur te 3 elementë që ai pretendon se janë indicie të forta për ta hetuar.


Një prej elementëve është dhe automjeti i përdorur në Janar të 2015-ës nga trafikantët. Bardhi thotë se ai automjet rezulton në pronësi të Olsi Ramës dhe kjo gjë s’mund të jetë rastësi. Por, gazetari Spartak Koka e pyeti nëse ai ka dijeni se pronar i po kësaj makine rezulton ligjërisht motra e një ish-ministre demokrate.

Në përgjigjien e tij, Bardhi përmendi disa emra, duke theksuar disa herë që “nuk donte t’i përmendte”.

Spartak Koka: A keni dijeni ju që pronarja e mjetit, që rezulton ligjërisht në sistem është motra e një ish-ministre të Partisë Demokratike? Dhe nëse po, çfarë e lidh atë me këtë grup? Me këtë makinë, a ka lëvizur motra e ish-ministres, a ka lëvizur bashkëshorti i saj? A keni hulumtuar ju si PD gjatë këtyre ditëve se këta persona kanë patur lidhje apo jo, shoqërore, kriminale me këta persona?

Gazment Bardhi: Së pari, po është e vërtetë… Është Onela Bregu shtetasja që rezulton pronare e makinës në këtë moment. Unë nuk e përmenda, sikundër makina tjetër figuron në emrin e zonjës Arta Dade. Makina tjetër që unë kam përmendur. Po unë nuk po i përmend këto emra, makina e tretë që ka përdorur po grupi Olsi Rama bashkë me të tjerët është në pronësi të një prej aksionerëve të bankës “Credins”. Unë nuk po i përmend emrat, duke qenë se verifikimi…

Iris Luarasi: I përmende pra!

Baton Haxhiu: Përmendi se duhesh në Prokurori për këto.

Gazment Bardhi: Verifikimi që kam bërë, është pronësia që kanë automjetet në këtë moment. Unë nuk e di si ka ecur pronësia dhe kush e ka patur pronësinë në 2014-ën. Sepse këtë nuk e tregon sistemi, tregon pronarët e fundit të automjetit. Kjo ishte arsyeja pse nuk i përmenda emrat, nuk kam asnjë merak dhe nuk mbroj askënd. Nëse s’kanë qenë të njëjtët pronarë, u kërkoj ndjesë në emision se nuk kanë lidhje…/tvklan.al