Mes shqiptarëve të Tuzit ka nisur festa. Grupimi i partive shqiptare “Malësia na bashkon” u rendit i pari në zgjedhjet lokale. Megjithatë shqiptarët siguruan 16 nga 32 vendet në këshillin komunal, 1 më pak se shumica e nevojshme për të zgjedhur kreun e komunës. Megjithate pritet që përfaqësuesi shqiptar i Partisë Demokratike të Malit të Zi, të bashkojë votat me koalicion fitues për të zgjedhur drejtuesin e ri të komunës.
Nik Gjeloshaj është kandidati i propozuar nga koalicioni i tre partive shqiptare; Alternativa, Lidhja Demokratike dhe Unioni Demokratik. Përballë tyre ishin 4 grupime politike, mes të cilëve edhe Partia Demokratike e Socialistëve të Presidentit Milo Gjukanoviç.
Procesi i votimit nisi në orën 07:00 dhe përfundoi në orën 20:00 të mbrëmjes. Raportohet se nga 11.900 zgjedhës, morën pjesë në votime rreth 60 përqind e tyre. Sipas drejtuesve të qendrave të votimit, nuk ka pasur incidente.
Në mbështetje të koalicionit “Malësia na bashkon” erdhën për të votuar edhe shumë shqiptarë nga diaspora.
Pas 62 vitesh, në Shtatorin e 2018-ës u vendos që Tuzi të jetë njësi administrative lokale më vete, e pavarur nga Podgorica. Ky vendim është cilësuar si fitorja e parë e banorëve shqiptarë që përbëjnë 70% të popullsisë dhe që e kërkonin këtë prej 3 dekadash.
Tv Klan